“De Biasi nuk do të ikë”; Duka: Kontratën e diskutojmë së shpejti

19/03/2017 00:00

Përfaqësuesja shqiptare është në një moment delikat të saj sa i përket eliminatoreve të botërorit.

Mungesa e rezultateve i ka pakësuar ndjeshëm shanset për kualifikim dhe për më tepër ku ndeshjet e mbetura janë në transfertë, në të njëjtën kohë edhe bashkëpunimi i dytë i De Biasit me FSHF-n po shkon drejt fundit në bazë të kontratës e cila përfundon njëherazi me eliminatoret. Presidenti Duka i pyetur për këtë çështje, thekson thjesht që De Biasi nuk do të largohet.

“Kjo çështje më tepër është diskutuar mediatikisht, pasi unë dhe De Biasi nuk jemi ulur për të diskutuar për kontratën pasi ka ende kohë. Unë nuk mendoj se ai do të largohet, megjithatë në ditët në vazhdim do të kemi mundësi të flasim për këtë çështje”, u shpreh Duka.

Këtë deklaratë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i ka bërë në ditën e inaugurimit të një fushe me bar artificial në qendrën kombëtare të rehabilitimit të të verbërve e cila ka qenë një dhuratë e bërë nga FSHF, për këtë kategori njerëzish që pavarësisht problemeve janë të apasionuar të futbollit, të cilët tashmë do të kenë mundësinë të marrin pjesë edhe kampionatin evropian të të verbërve që do të zhvillohet në Rumani.

Top Channel