Brazili, me risi për dy kualifikueset e radhës

03/03/2017 00:00

Trajneri i kombëtares braziliane të futbollit rikonfirmoi pritshmëritë e mëdha që ka për t’u kualifikuar në fazën finale të Botërorit, ndërsa zbuloi dhe emrat e grumbulluar për dy ndeshjet kualifikuese.

Tekniku i “Selecao”-s, Tite ka thirrur jo pak emra surprizë për 90-minutëshin ndaj Uruguajit dhe sfidën ndaj Paraguajit, që do t’i zhvillojë më vonë këtë muaj.

“Jam i fokusuar në punën intensive para çdo ndeshjeje dhe mundësitë tona për t’u kualifikuar. Kemi shpresa të mëdha për të arritur në Botëror para fundit të kalendarit, pasi stërvitjet dhe kualiteti na e mundësojnë këtë”, tha trajneri i Brazilit.

Që kur Tite mori drejtimin e kombëtares braziliane verën e kaluar, Brazili kryeson grupin e Amerikës Latine me 6 fitore, në po kaq ndeshje të luajtura.

Surpriza në përfshirjen e lojtarëve të grumbulluar përbëjnë debutuesi Ederson, portier me Benfikën, së bashku me mesfushorin Eder që militon te Flamengo, si dhe sulmuesin Diego të Sporting Recife. Katër kombëtaret e para të renditura në grup do të kualifikohen drejtpërdrejt në Botërorin e Rusisë. E pesta do të luajë në “play off” me skuadrën e zonës së Oqeanisë, në një ndeshje ku gjithmonë fitojnë latinët.

Top Channel