Vlorë, kapet peshku “alien”

23/02/2017 00:00

Një peshk i rrallë është kapur nga peshkatarët në Vlorë. Ruveto jeton në thellësi deri 1 mijë metra në ujërat e Mesdheut, dhe  nuk kapet shpesh. Për këtë shkak e quajnë edhe specie aliene.

Edhe për peshkatarët e Vlorës është hera e parë që e shohin një peshk të tillë edhe pse kanë dëgjuar të flitet shumë për peshkun gjalp, siç e thërrasin ndryshe për shkak të vajit që përmban.

Ky Ruveto i kapur në brigjet e Vlorës peshon 40 kilogramë dhe është i gjatë 1 metër  e 60 cm.  Gjatësia maksimale e tij shkon zakonisht deri në 2 metra dhe pesha maksimale 50 kg.

Ai ushqehet me kallamarë dhe karkalecë. Konsiderohet si një peshk i shijshëm nga njerëzit, por në vendet e BE shpesh konsumimi i tij shoqërohet me këshillën që të mos e hanë gratë shtatzënë apo nga njerëz që vuajnë nga sëmundje gastronintestinale.

Vitet e fundit në brigjet e Vlorës peshkatarët thonë se po kapin gjithnjë e më shumë specie të pazakonta për ujërat tona, ndërsa është shtuar sasia e peshkut Ton, dhe  nuk mungojnë as  delfinët apo peshkaqenët.

Top Channel