Kosovë, radikalizmi islamik ka ardhur bashkë me shërbimet e spiunazhit

22/02/2017 00:00

Radikalizmi islamik në Kosovë e ka burimin pas luftës, teksa elementë të kësaj dukurie negative i kanë sjellë organizatat e huaja të spiunazhit për të dëmtuar imazhin e Kosovës në botë. Kështu janë shprehur disa nga folësit në Samitin e Komisioneve për Punët e Jashtme të parlamenteve të Europës, që zhvillon punimet prej dy ditësh në Prishtinë.

Më i ashpër gjatë fjalës së tij ishte deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Punët e Brendshme, Sigurinë dhe Mbikëqyrjen e FSK-së në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se radikalizmi islamik ka ardhur pas luftës, me qëllime politike për të dëmtuar imazhin e Kosovës. Por, për të luftuar këtë dukuri, sipas Haradinajt duhet të votohet ligji mbi fetë, i cili i sanksionon në mënyrë ekstreme të gjitha veprat terroriste. E për këtë kërkohet edhe përkrahje nga komuniteti serb, si pjesë e këtij vendi.

“Sponzorizimi nga jashtë ka ndikuar për shkak të situatës ekomomike në Kosovë, për shkak të mungesës së perspektivës, për shkak të mungesës së lirisë në Europë”, tha Haradinaj.

Ai ishte kritik edhe ndaj Bashkimit Europian, që i ka vënë Kosovës si kusht demarkacionin, ndërkohë që janë edhe 7 raste në ish-Jugosllavi që nuk e kanë përmbyllur demarkacionin.

Ndërsa ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu kërkoi nga çdo individ ta luftojë radikalizmin dhe terrorizmin. Sipas tij, nuk mjafton vetëm fuqizimi i ligjeve për të larguar këtë dukuri, pasi kontributi më i madh vjen nga vet individët. Ai tha se është i nevojshëm komunikimi mes nivelit lokal dhe qendror për të luftuar terrorizmin, pasi thuajse gjysma e popullsisë jetojnë nëpër fshatra.

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina tha se radikalizmi në Kosovë ka ardhur së bashku me shërbimet e spiunazhit. Brovina deklaroi se historia e fesë së Kosovës është ndryshe nga ajo që Europa percepton. Sipas saj, familjet e Kosovës janë të përziera sa iu përket përkatësisë fetare dhe se toleranca është e madhe.

Ndërsa nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti deklaroi se nuk ka pasur përplasje mes kosovarëve dhe serbëve sa i përket feve. Sipas tij, shteti i Kosovës ka pasur arritje në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit dhe shpesh ato që thuhen në gazetat e huaja nuk janë të vërteta.

Në samitin në Prishtinë kanë marrë pjesë përfaqësues të disa shteteve të Europës dhe Ballkanit.

Top Channel