Përgatitjet për “All Star Game”, spektakël në NBA (Video)

19/02/2017 00:00

Fundjava speciale e basketbollit amerikan, NBA, vazhdon të dhurojë spektakël. Mbrëmja e së shtunës iu ishte dedikuar aftësive individuale të basketbollistëve të këtij kampionati.

Një prej garave më interesante ishte ajo e gjuajtjeve me zhytje, ku nuk ka munguar elementi surprizë, që për këtë vit ishte eliminimi i Aaron Gordon, finalist i vitit të kaluar. Gordon gaboi në dy tentativa nga 3 që kishte në dispozicion, duke dalë jashtë gare që në raundin e parë.

Në finalen e gjuajtjeve me zhytje shkuan Glen Robinson III dhe Derrick Jones Jr., me 20-vjeçarin që bënte debutimin e tij. Ai që mori më të mirën ishte pikërisht Robinson, i Indiana Pacers, që gjatë ekzekutimit të ushtrimit të tij arriti të kapërcejë në fluturim Paul George, maskotën e Indianës dhe një prej vajzave “Cheerleader”. Herën e fundit që një basketbollist i Indianës fitoi garën e gjuajtjeve me zhytje ka qenë në vitin 2004 me Fred Jones.

Nuk munguan surprizat as në garën e të ashtuquajturve basketbollistët “sniper”, specialistët e gjuajtjeve nga distanca të 3 pikëve. Kampioni në fuqi i kësaj gare, Klay Thompson u eliminua që në raundin e parë, duke iu hapur rrugë Eric Gordon të Houstonit, Kyrie Irving të Clevelandit dhe Kemba Walker të Charlotte.

Ky i fundit nuk shënoi më shumë se 17 pikë, ndërkohë që Gordon e Irving shënuan 20, duke bërë një sfidë shtesë mes tyre. Në fazën përfundimtare të garës, Irving u ndal në kuotën e 18 pikëve, duke u dorëzuar përballë Gordon me 21 pikë. Ky i fundit u bë i pari basketbollist i Houstonit që fiton në garën e gjuajtjeve nga distanca të 3 pikëshave.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel