Mustafa: Krenar për Kosovën. Së shpejti vizat dhe demarkacioni

17/02/2017 00:00

Kosova festoi këtë të premte 9-vjetorin e themelimit të shtetit të saj. Kryeministri Isa Mustafa rrëfen për Top Channel bilancin e republikës.

Ai nuk e quan dështim mosliberalizimin e vizave dhe thotë se do të realizohet shpejt, së bashku me Demarkacionin, Asociacionin, si dhe lirimin e Ramush Haradinajt.

Me kryeministrin Mustafa në Prekaz bisedoi gazetari Thimi Samarxhiu.

“Unë jam i bindur se kemi bërë hapa të mëdha në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Në shumë fusha, edhe në njohjet e jashtme, edhe në ndërtimet e brendshme sa i përket zhvillimit ekonomik, stabilizimit makroekonomik të vendit, ndërtimit të raporteve të mira me fqinjët. Kemi bërë po ashtu hapa të rëndësishëm edhe në integrimin europian, sidomos me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, por edhe me marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave. Me fqinjët, sidomos me Serbinë, të normalizojmë marrëdhëniet”, tha kryeministri Mustafa.

TCH: Ju i përmendët marrëdhëniet e mira me fqinjët. Keni rastin e komandant Haradinajt, i cili nuk është sot i pranishëm për shkak të një urdhërarresti të Serbisë, e mbahet në Francë. Po ashtu marrëdhëniet e tensionuara me trenin. Si e shihni situatën me Serbinë?

Isa Mustafa: Veçanërisht kohët e fundit ka pasur provokime të ndryshme nga ana e Serbisë. Këto i kemi diskutuar edhe në Bruksel. Është e dhimbshme që sot, ish-kryeministri Haradinaj nuk është së bashku me ne që ta shënojë këtë ditë. Do të bëjmë përpjekjet maksimale që t’i zgjidhim këto probleme, sepse nuk është vetëm një çështje e Haradinajt. Është një çështje që shqetëson dhe ngarkon më shumë luftëtarët e lirisë. Të gjitha këto fletarreste janë të pabazuara dhe joligjore.

TCH: Asociacioni, mosmarrja e liberalizimit të vizave dhe Demarkacioni. Mund ta quajmë këtë një dështim?

Isa Mustafa: Asociacioni nuk është një çështje që do të rrezikonte sistemin kushtetues ose funksionimin demokratik të Republikës së Kosovës, sepse kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por duhet të themelohet në mënyrë që ai të mos ketë përgjegjësi ekzekutive dhe të mos jetë pushtet i tretë. Gjë që kështu do të bëhet. Sa i përket Demarkacionit, mund të them se është fjala për një kauzë politike, prapa së cilës është ndërtuar dhe pozicionuar fort opozita. Ne do të punojmë edhe me opozitën që të gjejmë një zgjidhje. Ndërkohë, të gjitha dyshimet që mbesim më vonë, ose të gjithë argumentet mund t’i zgjidhim përmes Malit të Zi.

TCH: Një urim i fundit dhe si do ta gjejë 10-vjetori Kosovën?

Isa Mustafa: Jam i bindur se do ta gjejë më të zhvilluar, me viza të liberalizuara me çdo kusht, sepse duhet gjithnjë të ndërgjegjësohemi se këtë punë do ta bëjmë dhe qytetarëve do t’u japim mundësinë të kenë qasje dhe të mund të lëvizin në vendet e Bashkimit Europian, siç lëvizin edhe qytetarët nga vendet e tjera.

Top Channel