Interi përgjigjet: Pse Juventusi flet për ne?

10/02/2017 00:00

Interi u është përgjigjur provokimeve që kanë ardhur nga Juventusi ditët e fundit, pas sfidës mes tyre që përfundoi me fitoren 1-0 të bardhezinjve.

Klubi zikaltër, me anë të një komunikate për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të tij, ka dhënë një përgjigje ndaj deklaratave të administratorit të Juves, Beppe Marotta (“Interit i mungon kultura e humbjes”) dhe atyre të John Elkann (“Edhe pse i mësuar me humbje, Interi nuk di të humbasë”).

Ja teksti i komunikatës me titull “Krenarë për historinë tonë, të përqendruar në të ardhmen”:

“Në përgjigje të deklaratave të fundit të shfaqura në media, Klubi nuk e kupton arsyen pse Juventusi vazhdon të flasë për Interin, ndërkohë që vëmendja jonë nuk ka qenë kurrë te ata. Fakti që ka kaq shumë vëmendje ndaj Interit është provë e rëndësisë së Klubit. Kemi kërkuar, me korrektesë dhe në instancat përkatëse, një përballje për ato që i konsiderojmë si vendime arbitrale të diskutueshme për ne dhe për Serinë A. Por, ne mendojmë për të ardhmen, të ndërgjegjshëm se në Torino bëmë një ndeshje të mirë, pavarësisht humbjes. Secili ka historinë e tij, ne kemi tonën dhe jemi krenarë”.

Top Channel