Strategjia e gjelbër, Veliaj: Deri në 2030 mbillen 2 milionë pemë

09/02/2017 00:00

Tirana e madhe do të rrethohet nga një pyll i gjelbër me 2 milionë pemë .Bashkia e Tiranës po bashkëpunon me BERZH për hartimin e planit të veprimit për një Tiranë të gjelbër,  si dhe për financimine tyre. Kryetari Veliaj shpalosi disa ide kyçe për ta realizuar këtë ku theksoi kufizimin  e ndërtimeve.

“Kemi marrë disa vendime për kufizimin e ndërtimit në Tiranë. Trashëguam një plan urbanistik, i cili konceptonte një qytet për 4.5 milionë banorë. Ta quash fantashkencë është pak, ta quash hile është e saktë; një hile për të dhënë leje të caktuara jashtë logjikës së densitetit të qytetit. Sot kemi marrë një vendim politik, që qyteti deri në 2030 do të rritet me 1.5 milionë banorë, do të thotë që edhe kontraktorëve do u kërkojmë për projekte të këtyre përmasave dhe jo gjëra për të justifikuar disa veprime të gabuara”, tha z. Veliaj.

Për herë të parë bashkia e Tiranës  gjeneron të ardhura për gjelbërimin theksoi kryetari i bashkisë por nga ana tjetër  për të arritur objektivin e mbjelljes së 2 milionë pemëve  i ka kërkuar edhe bizneseve.

“Është hera e parë që një bashki heq një shumë të konsiderueshme mënjanë vetëm për të nisur një projekt të madh gjelbërimi. Jo vetëm kaq, por dje kemi çuar 2000 kërkesa në të gjithë bizneset kryesore në Tiranë që të sponsorizojnë segmente të caktuara të pyllit orbital dhe ambicia jonë është që në 14-15 vitet e ardhshme, 2 milionë pemë të jenë kthyer në një fashë oksigjenuese për qytetin e Tiranës, por edhe një kufi i qytetit”, tha ai më tej.
 
Veliaj i njohu përfaqësuesit e BERZH në lidhjë me atë që është bërë në Tiranë për lëvizjen e  qytetarëve duke i orientuar drej transportit publik, sistemimin e parkimit shtimin e flotës së autobusëve në kryeqytet.

Top Channel