Juventus mund Crotone-n, tani +7 mbi Romën

08/02/2017 00:00

Crotone u vërtetua si një pengesë e vogël për ambiciet e Juventus në Serie A këtë sezon pasi kampionët e futbollit italian u imponuan lehtësisht 0-2 në transfertë.

“Zonja e Vjetër” tundi dy herë rrjetën në fraksionin e dytë të lojës duke zgjidhur ndeshjen që shtoi dhe më shumë problemet e vendasve për mbijetesën.

Dybala, Pjaca dhe Higuain ishin kërcënimi kryesor i portës së Crotone-s, por vetëm në minutën e 60 shifrat ndryshuan me golin e Mandzukic. Sulmuesi kroat ishte në vendin dhe kohën e duhur për të përfituar nga një kthim në zonë, që vlejti dhe shifrat 0-1.

Rrjeta e dytë erdhi nga argjentinasi Gonzalo Higuain që reagoi si duhet çerek ore nga fundi duke shënuar brenda zonës. Në fundin e lojës, vetëm shtylla i mohoi boshnjakut Miralem Pjanic, kënaqësinë e golit. Me këtë sukses, Juventus shkon në 7 pikë më shumë se Roma e vendit të dytë.

Top Channel