Kampionët kthehen në shtëpi

07/02/2017 00:00

Kampionët e National Football League, New England Patriots u kthyen në Boston pas suksesit dramatik të arritur ndaj Atlanta Falcons 34-28. Me mijëra tifozë kishin zbritur në rrugë për të pritur idhujt e tyre që kishin me vete edhe trofeun Vince Lombardi.

Skuadra e New England, e udhëhequr nga Tom Brady e trajneri Bill Belichik, e përforcoi akoma më shumë statusin e saj si një dinasti e NFL pas asaj përmbysjeje të madhe të arritur në NRG Stadium të Houston duke anuluar një disavantazh prej plot 25 pikësh.

Është pikërisht Tom Brady ai që do ta kujtojë më shumë këtë triumf dhe kjo për disa arsye. Së pari, ai u bë i pari kuotërbek në historinë e NFL që fiton 5 tituj kampionë. Së dyti, Brady në moshën 39 vjecare është sportisti i dytë më i vjetër që fiton titullin në National Football League

Por Brady e cilëson këtë trofe si special edhe për faktin se triumfi erdhi pas polemikave të shumta për skandalin e Shfryrjes së topit në vitin 2015 që shtyu komisionerin Roger Goodell të pezullojë me 4 ndeshje Tom Bradyn, dënim që ai e shleu në fillimin e këtij sezoni.

Top Channel