Votimi për rezolutën në OKB, Nishani: Asnjë shpjegim nga Bushati

06/02/2017 00:00

Presidenca ka reaguar pasditen e së hënës në lidhje me deklaratën e ministrit të Jashtëm në komisionin parlamentar, lidhur me votimin kundër rezolutës për armët bërthamore.

Përkundër deklaratës së ministrit Ditmir Bushati, se “presidenti ka marrë një sqarim në rrugë institucionale” lidhur me këtë rast, zyra e shtypit të kreut të shtetit njofton se asnjë sqarim nuk ka ardhur në adresë të tij.

“Nisur nga deklarata e bërë sot në Komisionin për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë, nga ministri i Punëve të Jashtme, zoti Ditmir Bushati, për votimin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të rezolutës për armët bërthamore, sqarojmë se, deklarata e ministrit Bushati se: “Presidenti i Republikës, ka marrë sqarim po në rrugë institucionale”, është krejtësisht e pavërtetë!”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Presidenca sqaron gjithashtu se, nisur nga detyrimet e Shqipërisë në NATO, më 11 janar i është kërkuar informacion ministrit Bushati mbi qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në mbledhjen e 23 dhjetorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, “por deri më sot nuk ka pasur asnjë shpjegim me shkrim ose verbal”.

“Institucioni i Presidentit të Republikës kërkon nga ministri i Punëve të Jashtme të mos dezinformojë strukturat e Kuvendit të Shqipërisë dhe opinionin publik me të pavërteta, veçanërisht për çështje kaq thelbësore për marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet aleate, strategjike dhe partnere në NATO. Ndaj, ftojmë ministrin e Jashtëm të bëjë publike shkresën të cilën ai pretendon se ka informuar në rrugë institucionale Presidentin e Republikës!”, thotë njoftimi zyrtar.

Top Channel