Turqia shpreson ende se tetë ushtarakët e saj të strehuar nga Greqia, do t’u dorëzohen nga Athina “si shenjë e fqinjësisë së mirë”.

Kryeministri turk, Binali Yildirim tha se i ka dërguar një letër homologut të tij grek, Alexis Tsipras, për këtë çështje.

“Refuzimi për të ekstraduar puçistët nuk na pëlqeu dhe për këtë i kam dërguar nje letër zotit Tsipras. Në letër i kam shprehur pritshmërinë tonë se ekstradimi i këtyre njerëzve do të ndodhë, sigurisht duke rishikuar vendimin në fuqi brenda kufijve ligjorë”, deklaroi Yildirim para mediave ditën e enjte.

Vendimi i Gjykatës së Lartë greke që refuzoi ekstradimin e tetë ushtarakëve turq, me argumentimin se nuk u garantohej një proces i drejtë gjykimi në Turqi, ka acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve. Tensionet janë pasqyruar në dy ishuj të vegjël shkëmborë dhe të pabanuar në Egje, sovraniteti mbi të cilët kontestohet nga të dyja palët.

Pak ditë më parë, shefi i Shtabit të Ushtrisë turke zbarkoi tek dy ishujt shkëmborë të njohur si Imia nga grekët dhe Kardak nga turqit, ndërsa të mërkurën ishte ministri grek i Mbrojtjes që mbajti një intervistë nga këta ishuj.

Ai i quajti veprimet e Turqisë si “sjellje antike prej kaubojsh”, ndërsa Ankaraja reagoi menjëherë me anë të ministrit të Jashtëm, Mevlut Çaushoglu, që tha se Kamenos “duhet t’i thërrasë arsyes”.

Dy ishujt ndodhen në mes grupit të ishujve grekë Dodecanese dhe brigjeve turke në Egje. Në vitin 1996, dy vendet për pak kaluan në konflikt të hapur kur zbarkuan me ushtarë të armatosur në të njëjtin ishull.

Top Channel