Liljana Shaqillari, nënë e 3 fëmijëve; 11, 7 dhe 3 vjeç; nga fshati Katjel i Prrenjasit, jeton në kushte ekstreme varfërie. Pasi e braktisi bashkëshorti 3 vite më parë, Liljana u kthye në fshatin e saj, ku jeton në një banesë pothuajse të shembur.

“Për t’u ushqyer, kur më japin ndonjëherë njerëzit. Më sjellin ndonjë copë bukë, ndonjë veshmbathje. Edhe një shoqe nga Elbasani që më ka ndihmuar me ushqime për këtë dimër. Asgjë tjetër, jam siç po më shikoni”, thotë Liljana.

Pa asnjë të ardhur, Liljana dhe 3 fëmijët e saj arrijnë të mbijetojnë vetëm nëse dikush vë dorën në zemër dhe pranon çdo lloj pune.

“Unë kërkoj një shtëpi, të paktën një banesë për këta fëmijë, sepse i kam të sëmurë. Nuk e di se çfarë ka djali, disa thonë për hepatit, por nuk e di të saktë. Më ndihmoni për fëmijët, se i kam të tre jashtë”, u lut Liljana.

Herë të ushqyer e herë jo, Liljana ka mundur t’i dërgojë në shkollë dy djemtë, ndërsa mbetet e shqetësuar për shëndetin e tyre, pasi nuk ka asnjë mundësi t’i kurojë.

Top Channel