New England e Atlanta, në finalen e Super Bowl

23/01/2017 00:00

Finalja e Super Bowl në National Football League (NFL) vë përballë New England dhe Atlantën. Skuadra e Patriots mundi në finalen e Konferencës Afc, Pittsburg Steelers 36-17 dhe tashmë do të kërkojë të fitojë trofeun “Vince Lombardi” për herë të pestë.

Sfida mes New England dhe Pittsburg nuk pati shumë histori, me Patriots që ishte dominuese në lojë. Roethlisberger, Brown e DeAngelo Williams ishin të pafuqishëm për të përballuar New England, ylli i të cilit ishte padyshim Tom Brady. “Quarterback”-u 39-vjeçar, i cili do të luajë finalen e tij të 7 Super Bowl në karrierë, kreu pasime prej 384 jardësh e 3 “touchdown”.

Por, surprizën e mbrëmjes e bëri Atlanta, që shkatërroi totalisht Green Bay, duke kaluar në finalen e Super Bowl për herë të dytë në historinë e saj, pas asaj në 1999 ndaj Denver të cilën e humbi. Në sfidën me Packers, Atlanta luajti ndeshjen e saj të fundit në stadiumin “Georgia Dome”, që do të prishet për t’i lënë vendin një impianti më modern.

44-21 ishte rezultati në favor të Falcons, që e shkatërroi totalisht mbrojtjen e Green Bay. Julio Jones shënoi 2 “touchdown” në këtë sfidë, ndërkohë që për Packers, përpjekjet e Aron Rodgers për të rritur forcën sulmuese të skuadrës ishin të kota. Në fakt, pjesa e parë përfundoi 24-0, ndërkohë që në të dytën gjërat nuk ndryshuan dhe Atlanta tani e sheh veten në luftë për titullin e NFL.

Finalja e Super Bowl mes New England dhe Atlantës do të luhet në 5 shkurt, në “NRG Stadium” të Hjustonit.

Top Channel