Akuzohet për krime lufte, Limaj deklarohet i pafajshëm

13/01/2017 00:00

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku Fatmir Limaj është paraqitur në cilësinë e të akuzuarit për krime lufte, është mbajtur shqyrtimi fillestar. Prokurorja Drita Hajdari ka lexuar aktakuzën kundër tij, me anë së cilës akuzohet se ka kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë. Më konkretisht, për vrasjen e dy civilëve më 2 tetor të vitit 1998 në komunën e Malishevës.

Në aktakuzë, mes të tjerash thuhet se Limaj, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe si komandant ushtarak i “Brigadës 121” gjatë luftës në Kosovë ka shkelur rëndë nenin 3, që është i përbashkët për 4 konventat e Gjenevës të 12 gushtit 1949, duke nënkuptuar se nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave për të parandaluar apo ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës, nga fshati Bellanicë, dhe Selman Binishit, nga fshati Banjë.

Sipas aktakuzës të lexuar nga prokurorja Hajdari, Limaj nuk u angazhua as për zbardhjen e këtyre dy vrasjeve.

I akuzuari Fatmir Limaj tha se nuk ndihet fajtor për këtë akuzë. Kryetari i “Nismës” shpreson se do të zbardhet motivi i kësaj maskarade, që është bërë në këtë prokurori.

“Natyrisht që nuk ka ndonjë arsye. Kjo aktakuzë tërësisht është e shpifur, e motivuar, e stimuluar për qëllime që besoj se do të dëshmohen gjatë gjykimit”, tha Limaj.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Limajt, Tahir Rrecaj kontestoi përgjegjësinë komanduese të Limajt në kohën kur kanë ndodhur këto vrasje në Malishevë.

Aktakuza ndaj Fatmir Limajt është ngritur në tetor të vitit të kaluar nga Prokuroria Speciale.

Top Channel