Rrugët të kalueshme, por duhen zinxhirë në Dibër, Korçë e Përmet

12/01/2017 00:00

Pas rritjes së temperaturave gjatë kësaj të enjteje, rrugët nacionale që u bllokuan nga dëbora nisën të bëhen të qarkullueshme në shumicën e zonave, edhe pa zinxhirë.

Autoriteti Rrugor thotë se “Rruga e Kombit” është e hapur, por edhe akset nacionale, përveç atyre në Dibër, Përmet dhe Ersekë, ku kërkohet vendosja e zinxhirëve.

Dëbora, por edhe reagimi i dobët i kompanive të mirëmbajtjes janë arsyet se, përse shumë akse u bllokuan.

Edhe Prokuroria nisi hetime në disa raste. Ndërkohë ministri i Transporteve tregoi për një projekt në bashkëpunim me Bankën Botërore, që do të nisë muajin e ardhshëm, me synim mirëmbajtjen e rrugëve.

Dëbora, përveç rrugëve, mbrëmjen e së mërkurës bllokoi edhe Aeroportin “Nënë Tereza”. Shumë fluturime u pezulluan dhe shtynë gjatë 13 orëve kur vijoi puna për hapjen e të gjithë pistës së mbuluar nga bora dhe akulli.

5 tonë kripë janë hedhur në pistë dhe pas orës 11 të së enjtes avionët nisën të lëviznin. Pezullimet e fluturimeve tani në këtë aeroport nuk vijnë nga problemet e tij, por të aeroporteve të tjera.

Top Channel