Arbitrat e FIFA-s, sërish tre shqiptarë

10/01/2017 00:00

Kampionati shqiptar do të ketë sërish tre gjyqtarë kryesorë me stemë të FIFA-s, 6 asistentë meshkuj dhe një asistente femër.

Ceremonia e shpërndarjes së stemave është zhvilluar në përfundim të seminarit të përvitshëm që zhvillojnë gjyqtarët e futbollit. Temat kryesore të diskutimit kanë qenë bashkëpunimi mes gjyqtarëve gjatë pozicioneve të parregullta në aksion apo vlerësimet e ndërhyrjeve brenda zonës.

Për të dyja këto ka qenë i ftuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe Shoqtata e Arbitrave, numri dy i sektorit të gjykimit në UEFA, David Elleray, i cili ka qenë dhe ndër hartuesit kryesorë të rregullave të reja të futbollit.

“Në rastin kur skuadra ndëshkohet me një një penallti dhe lojtari që ka shkaktuar ndërhyrjen ka larguar topin, atëherë lojtari ndëshkohet me kartonin e verdhë, por nëse ka shtyrje, tërheqje apo ndalim të topit me dorë, atëherë kemi karton të kuq. Kjo është e drejta sepse konsiderohet që lojtarët në këtë rast nuk luftojnë për topin”, thotë David Elleray.

Në këtë seminarë kanë qenë të pranishëm rreth 42 gjyqtar kryesorë dhe 70 asistent. Veç aspektit teknik këtë herë ishte menduar që të kishte edhe një pjesë leksioni, ku një nga profesorët e psikologjisë së Universitetit të Tiranës ka shpjeguar ndikimet e rrjeteve sociale dhe paragjykimet në vendimet që mund të marrin gjyqtarët gjatë ushtrimit të profesionit.

“Marrim si shembull, nëse një një gjyqtar gjatë periudhës së pushimit mes pjesës së parë dhe pjesës së dytë, hap dhe shikon në celularin e tij në rrjetet sociale vlerësime që janë bërë mbi gjykimin negativ apo pozitiv të asaj që ka vendosur në pjesën e parë, ndikon fuqishëm në gjykimin e pjesës së dytë. Përpara ndeshjes, përgjatë saj dhe disa orë pas ndeshjes, gjyqtarët të mos i përdorin fare telefonat celularë”, thotë pedagogu i Universitetit të Tiranës, Albano Zhabaj.

Top Channel