Profecia e libanezes për masakrën turke

04/01/2017 00:00

“Shpresoj të argëtohemi. Më e keqja që mund të ndodhë është të vdes në ndonjë shpërthim e të ndjek mamanë”. Fjalët e fundit, që Rita Chami shkëmbeu me të motrat përpara se të nisej me të fejuarin Elias Wardini për në Stamboll, ku do të festonte Vitin e Ri, ishin thënë si me shaka, por tani kanë marrë peshën e një profecie dramatike.

Libanezja 26-vjeçare është një prej personave që humbën jetën mbrëmjen e Vitit të Ri në klubin “Reina”. Disa medie flisnin edhe për një postim tjetër profetik, nga i cili megjithatë nuk ka më asgjë gjurmë. Mbase e kanë fshirë.

Chami kishte humbur të ëmën përpara disa muajsh nga kanceri. Ajo vdiq në krahët e Wardinit, i cili ishte përpjekur ta mbronte me trupin e vet, edhe pse kishte pasur mundësi të largohej.

E dhimbshme ishte edhe historia e bukuroshes 18-vjeçare nga Izraeli, Leanne Nasser. Ajo u ishte lutur prindërve ta lejonin të shkonte me 3 shoqe në Stamboll për të kaluar festat, por i ati refuzonte pikërisht sepse druhej për sigurinë e saj. Vajza vdiq në të parin udhëtim të vetin jashtë kufijve. Vetëm njëra nga shoqet u plagos, dy të tjerat nuk kanë asnjë gërvishje.

27 prej 39 të vrarëve në klubin e natës janë shtetas të huaj, përfshirë këtu një producent kinematografik dhe një stiliste nga India. Mesazhi i ISIS-it pretendonte se, njëri prej klubeve më popullore të Stambollit u sulmua në kohën kur të krishterët po kremtonin festën e tyre. Ironia është se shumica e të vrarëve janë myslimanë, pjesa më e madhe nga Arabia Saudite.

Ideologjia e terroristëve kundër idealeve perëndimore nuk ka arritur të ndryshojë mentalitetet, por po ia del mbanë të mbjellë dhimbje, shkruan “CNN”. Vet Erdogani është i bindur se episodi tronditës ka pasur për qëllim të hedhë farën e përçarjes mes turqve, ndërsa shton se nuk do të lejojë që mënyra turke e të jetuarit të gjendet nën kërcënim sistematik.

Top Channel