Hetim Selamit e Tahirit, deputetët sulmojnë Prokurorinë

21/12/2016 00:00

Prokuroria nisi ndjekjen penale ndaj dy deputetëve, Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri me akuzën e falsifikimit të dokumentave zyrtare. Veprimi i menjëhershëm i Prokurorisë është pasojë detyruese e ligjit të dekriminalizimit, i cili e parashikon këtë masë kur organi i akuzës konstaton se funksionari publik nuk ka bërë deklarim të plotë të të dhënave.

Por deputeti vlonjat i LSI-së-së beson se është viktimë e një makinacioni politik.

“Nuk diskutohet që ka prapavijë politike totale. E them troç!”, deklaroi ai.

Shkëlqim Selami paraqiti disa dokumenta me vulë origjinale të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drjetësisë italiane për të sqaruar pozicionin për të cilin akuzohet nga Prokuroria.

“Nuk kam ditur fare që ka qenë një proces gjyqësor kundër meje dhe vendimi i formës së prerë për Shkëlqim Selamin është që nuk ka asnjë lidhje me këtë. Jo vetëm që nuk jam dënuar, por as jam gjykuar fare. Janë rrëzuar që të gjitha”, tha deputeti i LSI-së.

Edhe deputeti Dashamir Tahiri deklaroi se nuk ishte në dijeni të vendimeve të gjykatës italiane për akuzën e falsifikimit të patentës, por që sipas tij, ky nuk është subjekt i dekriminalizimit.

“Atëherë nuk e dija. Jam njoftuar nga Prokuroria. Iu drejtova KQZ-së, bëra vetëdeklarimin e menjëhershëm dhe njëkohësisht po merrem në Itali me rrugë ligjore. Patenta nuk ka qenë asnjëherë false dhe për këtë kam marrë vërtetim dhe po merrem në Itali edhe për këtë çështje”, u shpreh Tahiri.

Dashamir Tahiri, deputet i PDIU, por që i përket grupit të Partisë Demokratike bëri sqarimin e  tij edhe për akuzën e falsifikimit të parave, një ngjarje, sipas tij, me vlerën e 5 eurove, por që nuk është shoqëruar dhe as proceduar ndonjëherë.

Edhe deputeti i opozitës u tregua kritik me qëndrimin e Prokurorisë.

“Më duket absurde sepse nuk ka asnjë lidhje me dënimin tim ligji i dekriminalizimit. Kjo është një balancë politike po më duket mua”, u shpreh ai.

Megjithate, Dashamir Tahiri nuk mori mbështetjen publike të Partisë Demokratike.
“Jam i prirur të mirëkuptoj rrethanat që ka shpalosur zoti Tahiri, por kjo nuk është çështje që e gjykoj unë, e gjykojnë institucionet. Qendrimi politik i Partisë Demokratike dhe i imi është për zbatimin e plotë të dekriminalizimit”, deklaroi kreu i PD, Lulzim Basha.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, autoriteti i vetëm që mund të vendosë për heqjen e mandatit të të zgjedhurve, nuk ka përcaktuar deri tani asnjë datë se kur mund të mblidhet për të marrë një vendim.

Top Channel