“Vdekja e dytë” e Leninit

17/12/2016 00:00

Lazër Filipi u shua. Kjo është vdekja e dytë e “Leninit”. Aq shumë i identifikuar ky aktor me këtë rol, sa sot miqtë dhe kolegët e kujtojnë atë me hijeshinë sidomos të këtij roli, por edhe të tjerëve.

“Sikur luajti Leninin dhe e mbajti në fytyrë atë makiazh, atë që ishte në atë rol me atë mjekrrën e vogël këtu. Të gjitha elementët e atij personazhi i mbajti në jetën personale”, thotë regjisori Mihallaq Luarasi.

“Vetëm me një rol, me Lenin që Lazri ka bërë, sepse ai ka luajtur në qindra role, në teatër më së shumti. Mua më mbahen mend batutat e vogla që ka thënë Lazri”, kujton aktorja Rajmonda Bulku.

Lazër Filipi ka dhënë një kontribut të jashtzakonshëm në themelimin dhe konsolidimin e Teatrit profesionist shqiptar. Ai është pjesë e plejadës së aktorëve që kanë vënë themelet e teatrit profesionist duke lënë si trashgimi kulturore vlera dhe kontribute të çmuara për brezat që do të vinë.

“Në këtë teatër Lazri ka bërë një punë të madhe shumë, si aktor, por edhe si dramaturg”, kujton Mihallaq Luarasi.

“Sa bëri në vitet e fundit! Bëri Napolon Bonapartin, bëri Ali Pashë Tepelenën”, thotë aktorja Bulku.

Gjatë kohës së tij si aktor ka realizuar mbi 150 role në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Xha Shazon te “Familja e peshkatarit”, Nduen te “Toka jonë”, Dod Shpendin te “ 7 Shaljanët”, Konti te “Zonja e bujtinës”, Ali Pashë Tepelenën në dramën me të njëjtin emër, Shaqo Bregun te “Në fillim të verës”, Dobçinskin te “Revizori”, Markezi te “Bileta e lotarisë”, Klarkun te “Arturo Ui”, si dhe një sërë veprash si regjisor.

Lazër Filipi ka punuar si pedagog në Shkollën e Lartë për aktor për 15 vjet deri në Akademinë e Arteve.

Homazhet në nder të aktorit, do të mbahen paraditen e së dielës në Teatrin Kombëtar, nga ku më pas ai do të përcillet në banesën e fundit.

Filipi mbahet mend edhe si plejada e aktorëve që dilte me pankarta në duar nëpër Tiranë për të tërhequr spektatorin në shfaqje.

Top Channel