Korabi “emigron” sërish, tani luan në stadiumin e Pukës

15/12/2016 00:00

Skuadra e Korabit detyrohet të ndryshojë sërish stadiumin ku zhvillon ndeshjet e kategorisë Superiore, duke provuar një shtëpi të tretë brenda një sezoni të vetëm.

Ekipi dibran i detyruar të emigrojë për shkak të punimeve në fushën e Peshkopisë, u spostua në fillim të kampionatit në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Por duke synuar të afrojë më shumë tifozët, Korabi zgjodhi më pas të firmoste një kontratë me Kukësin për të zhvilluar në stadiumin “Zeqir Ymeri” ndeshjet e tij, kjo për shkak të afërsisë me Peshkopinë.

Eksperienca zgjati pak, pasi dibranët zyrtarizuan largimin edhe nga ky impiant, si për ironi pas barazimit me Kukësin. Të kontaktuar nga Top Channel, drejtuesit e Korabit thanë se ndeshja e ardhshme do të luhet në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës, që plotëson dhe kriteret.

Skuadra dibrane gjendet kështu sërish në një zgjidhje emergjente dhe të përkohshme, me shpresën se në vitin 2017, do të rikthehet në stadiumin e rikonstruktuar të saj në Peshkopi.

Top Channel