Berisha: Shërbimet sekrete kanë shkelur ligjin

12/12/2016 00:00

I ftuar në emisionin “Top Story” Berisha pranoi që shërbimet sekrete të ngritura pas rënies së diktaturës kanë shkelur ligjin, ndërsa rrëzoi kritikat për shkelje të lirisë së medias.

“Shërbimet sekrete të krijuara në vitin 1992 u krijuan pasi me një dekret të veçantë u shkri policia sekrete e Enver Hoxhës. Ata që u angazhuan ishin njerëzit më pa përvojë. Në tërësinë e tyre iu përmbajtën parimeve, por edhe bënë shkelje ligjore të papranueshme. Ata u përballën me një propagandë të egër të sigurimit të shtetit, që luftonte kundër tyre duke bashkëpunuar me shërbime të tjera. Sa u përket mediave, mendoj që si një shoqëri që vinte e izoluar, i duhej një kohë për të dalë në një liri të plotë mendimi. Si president bëra një ligj që mbronte mediat, i përkthyer nga një fondacion gjerman dhe u kritikua nga mediat në Shqipëri saqë unë e pashë që u nisa për ti bërë një shërbim dhe mora një efekt të kundër. Pas kësaj, mediat kërkuan shumë ligjin, por në 2004 bëra një ligj të pashkruajtur, asnjë padi nga administrata. Ka ndodhur vetëm 3 herë”, deklaroi ai.

Berisha njohu si probleme më të mëdha piramidat dhe Gërdecin.

“26 vite nuk ishin pa probleme, kanë qenë piramidat një problem shumë madhor për të cilat unë dhe PD morëm përgjegjësinë. Gërdeci është njohur dhe nuk është e vërtetë që nuk është njohur. Dha dorëheqjen ministri dhe janë marrë masa të shkallës më të fuqishme deri tek shpallja krim shtetëror të paqëllimshëm. E vërtat është që nëse vlerësoheshim nga standardet, ato bënë të mundur anëtarësimin në KiE, në NATO”, u shpreh ai.

Top Channel