Siguria në Premiership, e sfidon… një ngjitës ekstrem

12/12/2016 00:00

Miliona paund investohen çdo vit dhe mijëra policë dhe stjuartë privat impenjohen çdo javë për ndeshjet e futbollit anglez, pasi siguria është një prioritet për ligën më të fortë të futbollit në planet.

Në Britaninë e Madhe stadiumet konsiderohen bunkerë të sigurt dhe të paaksesueshëm nga terroristët apo kriminelët e rrugës. Por ai që ka sfiduar planet e kontrollit prej javësh mbetet një djalosh që ka pasion ngjitjen pa masa mbrojtëse dhe ka nisur të pushtojë majat e impianteve më të njohur në ishull.

Spidermani i kohëve moderne ka një emër arti që e përdor për akrobacitë spektakolare. Dying Llama u ngjit para pak ditësh ën çatinë e “Emirates Stadium”, pa u ndalur nga siguria dhe duke i shpëtuar shumë “check pointeve”.
 
Një tur të paautorizuar, Spidermani anglez e ka bërë më parë edhe në stadiumin që përdoret nga West Hami dhe video e ngjitjes kaloi në pak orë 3 milionë klikime në kanalin e tij në Youtube.

As krenaria kombëtare e futbollit, stadiumi “Wembely” nuk i ka shpëtuar dyshes së famshme të ngjitjeve ekstreme.

Nuk kaloi kohë që Dying Llama u pa edhe mbi harkun e famshëm të impiantit londinez dhe me të drejtë mediat pyesin nëse këta çunakë kaluan kaq lirshëm kontrollet e sigurisë, ç’mund të bëjë një terrorist i pajisur me bomba dhe qëllime të këqija.

Top Channel