Mbledhja e UEFA-s, miratohet formati i ri i “Champions”

10/12/2016 00:00

UEFA nuk ndërron mendje përsa i përket reformës së re të Ligës së Kampioneve që do të hyjë në fuqi që nga sezoni 2018/2019. Komiteti Ekzekutiv i institucionit më të lartë të futbollit evropian, në mbledhjen e tij të radhës vendosi të miratojë formatin e ri të këtij kompeticioni duke hedhur poshtë lajmet e publikuara së fundmi për një modifikim apo anulim të tij.

Formati i ri i Ligës së Kampioneve parashikon që Ligat më të rëndësishme Evropiane të kualifikojnë direkt në fazën e gurpeve 4 skuadrat e para të tyre dhe ato që përfitojnë janë La Liga, Bundesliga, Premier League dhe Serie A. Sipas rregullores së re të aprovuar në Nion, në fazën e grupeve do të kualifikohen direkt 26 skuadra, ndërsa 6 ekipet e tjera do të duhen të luajnë ndeshjen e turit kualifikues.

Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA u përcaktuan edhe detaje të tjera siç është sistemi i ri i koeficentëve për klubet. Skuadrat do të gjykohen në mënyrë individuale dhe në përllogaritjet e tij do të merren parasysh edhe sukseset e tyre në historinë e Ligës së Kampioneve.

Shpërblimet financiare për klubet pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve dhe Europa League do të rriten në mënyrë të ndjeshme. Shpërndarja e tyre do të bëhet duke u bazuar kryesisht te paraqitja e skuadrave në fushën e lojës.
Por jo vetëm kaq, Liga e Kampioneve do të ndryshojë edhe orar. Formati i ri parashikon që për ditët e përcaktuara për këtë kompeticion, 2 ndeshje do të luhen në orën 19:00, ndërsa 6 të tjerat në orën 21:00, një sistem ky i ngjashëm me atë të Euriopa League. Në fund, UEFA vendosi që finalja e Europa League e vitit 2018 të luhet në Lion të Francës.

Top Channel