NBA, shkëlqen Westbrook në fitoren e pestë radhazi të OKC

05/12/2016 00:00

Oklahoma City vijon serinë e rezultateve pozitive në NBA. Skuadra e Thunder këtë radhë mposhti New Orleans Pelicans me rezultatin 101-92, duke e çuar në 5 numrin e fitoreve radhazi.

Ishte i zakonshmi Russell Westbrook ai që shkëlqeu në këtë ndeshje me 28 pikë, 17 topa në tabelë e 12 asist, për të fituar statusin e MVP së fillimit të sezonit në kampionatin më spektakolar të basketbollit në botë. Përveç Westbrook, për Oklahomën bënë një paraqitje mjaft të mirë edhe Oladipo, Kanter e Robertson.

“Madison Square Garden” u bë arena e një ndeshjeje spektakolare mes New York Knicks dhe Sacramento Kings. Vendasit e Knicks arritën të fitojnë 106-98, duke regjistruan suksesin e tretë radhazi dhe tani e shohin veten në zonën e “playoff”-it pasi renditen në vendin e 7 në Konferencën e Lindjes.

Los Angeles Clippers frenohet sërish dhe këtë radhë skuadra kaliforniane u thye në “Staples Center” nga Indiana Pacers 102-111. Griffin e Paul shënuan së bashku 42 pikë, por që nuk i shërbyen aspak Los Angeles Clippers që ka zbritur në vendin e tretë në Konferencën e Perëndimit, me 16 fitore dhe 6 humbje.

Në ndeshjen tjetër të NBA, Orlando Magic fitoi me Detroit Pistons në “Auburn Hills” me rezultatin 98-92.

Top Channel