Anglia emëron Southgate si trajner për 4 vitet e ardhshme

30/11/2016 00:00

Gareth Southgate është emëruar në postin e trajnerit të kombëtares së Anglisë në futboll, me një kontratë 4-vjeçare. 46-vjeçari Southgate dha dorëheqjen nga roli i tij i mëparshëm si trajner i 21-vjeçarëve të Anglisë në shtator, menjëherë pas largimit të Sam Allardyce nga “3 luanët”, i cili qëndroi vetëm 67 ditë në këtë detyrë.

Southgate drejtoi ekipin kombëtar anglez si trajner i përkohshëm duke marrë dy fitore dhe dy barazime, ndërsa tashmë ka nënshkruar një kontratë që raportohet se do t’i sjellë atij përfitime prej afro 2 milionë paund në vit.

“E kam shijuar në maksimum punën time me këta lojtarë përgjatë 4 ndeshjeve të fundit. Mendoj se mes tyre ka një potencial tepër të madh që duhet të shfrytëzohet”, tha Southgate. “Jam ekstremisht krenar që jam emëruar tashmë trajner i Anglisë. Gjithsesi jam i ndërgjegjshëm gjithashtu se, marrja e këtij posti është një gjë dhe bërja në mënyrë të suksesshme e detyrës time është një tjetër gjë. Jam i vendosur për të dhënë gjithçka mundem për vendin tim, për të krijuar një skuadër për të cilën do të jenë të gjithë krenarë, madje për të cilën do të kënaqen teksa e shohin të luajë dhe të zhvillohet më tej”, tha trajneri i ri i “3 luanëve”.

Ish-mbrojtësi Southgate, i cili ka luajtur edhe 57 ndeshje me kombëtaren e Anglisë, bëhet tashmë trajneri i katërt me kohë të plotë i kombëtares, në po kaq vite. Ish-lojtari i Middlesbrough drejtoi me sukses Anglinë në fitoren ndaj Maltës për kualifikueset e Botërorit, përpara se të siguronte një barazim pa gola me Slloveninë në transfertë. Ai hodhi një hap të rëndësishëm përpara për t’u emëruar trajner pas fitores 3-0 ndaj Skocisë, më herët gjatë këtij muaji, përpara se skuadra e tij të sfumonte avantazhin prej dy golash në miqësoren ndaj Spanjës në “Wembley”, në takimin që përfundoi në barazim 2-2.

Përpara se të drejtonte kombëtaren, Southgate kishte pasur vetëm një eksperiencë si trajner, atë prej 3 vitesh te Middlesborough, që ra nga Premier League nën drejtimin e tij në vitin 2009.

Top Channel