Tragjedia e Chapecoense, mes të mbijetuarve 3 futbollistë

29/11/2016 00:00

Rrëzimi i një avioni të kompanisë charter “Boliviana Lamia” që po udhëtonte drejt aeroportit të “Medellin” në Kolumbi, i kushtoi jetën 76 personave, ndërsa 5 të tjerë kanë mbijetuar.

Mes pasagjereve ishin edhe pjesëtarët e skuadrës braziliane të futbollit të Chapecoense, e cila do të luante në Kolumbi finalen e Kupës së Amerikës së Jugut.

Tragjedia, shkaqet e të cilës janë ende të pasigurta, ndodhi në orën 22:15 të orës lokale në Cerro Gordo të La Union, 57 km larg destinacionit “Medellin” dhe siç mësohet avioni po bëhej gati për fazën e uljes. Menjëherë pas lajmit, Kupa amerikanojugore u pezullua.

Mes të mbijetuarve konfirmohen të jenë tre futbollistë, mbrojtësi Alan Ruschel dhe portierët Jackson Follmann dhe Danilo. Siç raportoi rrjeti sportiv “Telemundo Deportes”, Ruschel ishte ne gjendje shoku por mund te fliste, dhe kërkoi të takonte menjëherë familjarët.

Avioni ishte nisur nga Santa Cruz de la Sierre në Bolivi dhe mes shkaqeve të mundshme të rrëzimit të tij, citohen probleme në impiantin elektrik. Me të njëjtin avion, tre javë më parë, udhëtoi kombëtarja e Argjentinës së Lionel Messit.

Operacionet e shpëtimit u vështirësuan nga shikueshmëria e ulët në vendin e ngjarjes. Madje kushtet e këqija të motit detyruan ndërprerjen e përkoheshme të kërkimeve.

Ekipi nga qyteti i Chapeco-s kaloi në serinë e parë të Brazilit në vitin 2014 dhe arriti në javën e fundit të kampionatit pas një fitore kundër San Lorenzos së Argjentinës.

FOTO GALERI
1/15

Top Channel