Fondi i Solidaritetit, klubet në borxh ndaj FSHF-së

23/11/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të tregojë edhe publikisht se si ka funksionuar shpërndarja e fondit të solidaritetit në këto 15 vitet e fundit, për të cilin shumë klube kanë ngritur pretendimet e tyre.

Megjithatë shefi i Licencimeve dhe Projekteve në FSHF, Kejdi Tomorri është munduar të sqarojë mënyrën e funksionimit të shpërndarjes së fondeve që Federata  merr nga UEFA.

“Komiteti Ekzekutiv në vitin 2002 ka miratuar një vendim sipas të cilit të bashkoheshin fondet e UEFA-s, duke qenë se fondi i solidaritetit ishte shumë i vogël dhe me ato shifra nuk mund të investohej tek të rinjtë”, thotë Kejdi Tomorri, shef i Licencimit dhe Projekteve.

 Më pas FSHF është munduar të sqarojë disa nga klubet që kanë ngritur pretendimet për mosmarrje të këtyre fondeve si Teuta, Flamurtari apo Partizani.

“Partizani ka marrë përpara disa vitesh një shifër rreth 80 mijë euro për një projekt që solli për ndërtimin e fushave me tokë të kuqe. Më pas ato nuk u realizuan dhe si rrjedhojë këto para, të cilat ju dhanë në formë kesh, Partizanit i mbahen në vazhdimësi”, sqaron Tomorri.
 
Me fjalë të tjera, Partizani ashtu si edhe disa klube të tjera kanë marrë paradhënie për projekte të ndryshme duke përfituar nga këto fonde edhe pse disa prej këtyre skuadrave janë ngjitur e kanë zbritur disa herë nga Superiorja gjatë 15 viteve të fundit. Kjo është edhe arsyeja që disa prej klubeve ose janë borxh në FSHF, ose po shlyejnë borxhet e paradhënieve të së shkuarës.

Top Channel