Mbërrijnë izraelitët, masa të rrepta sigurie

10/11/2016 00:00

Rreth 1000 forca policore do të jenë në gatishmëri për mbarëvajtjen e takimit Shqipëri-Izrael, që do të zhvillohet mbrëmjen e së shtunës në ‘Elbasan Arena’.

Stadiumi është marrë në dorëzim nga policia prej dy ditësh, ndërsa në hyrje të tij ushtrohen kontrolle ndaj çdo personi që shkel impiantin, qoftë edhe punëtorë apo punonjës të federatës.

Mësohet se inspektime të vazhdueshme në ‘ Elbasan Arena ‘ janë zhvilluar prej ditësh edhe nga një grup i huaj, i cili konfimohet nga burime të policisë, se i perket shërbimeve inteligjente izraelite.

Nga ana tjetër policia ka marrë në ruajtje dhe hotelin ku do të qëndrojë ekipi kombëtar izraleit, i cili pritet të mbërrijë në aeroportin e rinasit pasditen e kësaj të enjteje. Shoqërimi dhe ruajtja e tyre i është ngarkuar forcave specilae RENEA, ndërsa në gadishmëri do të jenë edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë.

Ndërkohë ditën e ndeshjes, mësohet se policia do të ngrejë një perimetër sigurie rreth stadiumit, ku do të ushtrohen disa kontrolle për të mos lejuar futjen e fishekzjarreve, banderolave dhe sendeve të tjera të paligjshme.

Pallatet pranë stadiumit priten të boshatishen gjatë zhvillimit të takimit, ndërsa të gjitha lokalet rreth tij do të mbyllen. Sipas burimeve nga policia niveli i masave të sigurisë për kete ndeshje i kalon edhe ato të marra për ndeshjen ndaj Serbisë.

Në planin e masave është përfshirë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, ku shumë agjentë civilë do të jenë në lëvizje para, gjatë dhe pas zhvillimit të takimit të vlefshëm për eliminatoret e Boterorit Rusi 2018.

Këto masa të jashtëzakonshme sigurie u ndërmorën pas arrestimit të katër personave pak ditë më parë në Shqipëri. Mossad, agjencia sekrete e shtetit izraelit dispononte informacione për vendosje të lëndeve eksplozive në stadium dhe ndërhyri pak ditë përpara zhvillimit të ndeshjes.

Agjentë të saj janë marrë në Shqiperi në terren me çështjen, e cila konsiderohet “top secret”. Informacioni mbi këtë çështje dhe grupit në Shqipëri që do të merrte përsipër hedhjen në erë të stadiumit, disponohet nga një numër i kufizuar personash.

Informacionet janë konsideruar nga burimet si tejet serioze, ndaj masat që do të merren në zhvillimin e ndeshjes janë masat më të rrepta të sigurisë. 

FOTO GALERI
1/4

Top Channel