Protesta në Himarë, Goro i vendosur për prishjen e banesave dhe zbatimin e projektit

31/10/2016 00:00

Një pjesë e banorëve të Himarës kundërshtuan prishjen e 19 objekteve në këtë qytet në kuadër të rikualifikimit urban të zonës. Në një protestë që u mbajt paradite ata sulmuan me parulla kryetarin e bashkisë, ndërsa kërkuan mbështetjen e të gjithë qytetit kundra aksionit të prishjes së këtyre objekteve.

“Kryetari i bashkisë duhet t’u bëjë presion njerëzve që të lënë trojet e tyre dhe t’ua japin ndërtuesve që po ndërtojnë në të gjithë Himarën. Himarjotët që kanë tokën e trashëguar nuk mund as të lyejnë shtëpinë, ndërsa këtu po jepen leje të bëhen hotele”, shprehet Fredi Bejleri, përfaqësues i banorëve.

Ndërkohë, kreu i bashkisë deklaroi se të gjithë ato objekte që janë me leje do të shpronësohen sipas ligjeve në fuqi. Ai është i vendosur për të kryer aksionin e prishjes së ndërtimeve.

“Të drejtën për të protestuar e ka çdo njeri, por atë që kemi ne për detyrë janë ato që u kemi premtuar qytetarëve, zhvillimin urbanistik të zonës. Ne do të kryejmë çdo procedurë ligjore për ato objekte të cilat preken nga ky investim”, tha Goro.

Top Channel