“Shqiptarët, para pasqyrës”

27/10/2016 00:00

Pas 207 vitesh, nga koha kur Lord Bajroni vizitonte Shqipërinë e panjohur dhe i tregonte botës për këtë vend, një tjetër britanik shkruan sërish për vendin tonë. Këtë herë një guidë për të gjithë turistët e huaj, duke evidentuar aty zakonet, karakterin, madje edhe besëtytnitë e shqiptarëve me doza humori dhe ironie.

Por çfarë e shtyu britanikun Alan Andoni, që të shkruajë këtë libër?

“Kur erdha në Shqipëri, miqtë e mi anglezë më thanë: Po shkon në Shqipëri, ku ka mafia e drogë. Aty kuptova se ne duhet të paraqesim një pamje më të balancuar të Shqipërisë, pasi si çdo vend tjetër, edhe këtu ka gjëra të mira, ka edhe gjëra të këqija”, tha Andy Michajlowicz, ose Alan Andoni siç njihet.

Alan Andoni ka përshkruar dhe detaje të përditshmërisë së shqiptarëve.

“Ato janë vetëm komente që njerëzit më kanë ofruar kur kam folur me ta. Mbaj mend që dikush më tha: ‘A e di që shqiptarët nuk u besojnë njerëzve që i kanë duart e ngrohta kur takohen?’. Kjo ishte një revolucion për mua dhe tani, gjithmonë përpara se të takohem me njerëzit, e vendos dorën në një vend të ftohtë, në mënyrë që ata të më besojnë”, thotë Andoni.

Pyetjes se çfarë vlerëson më shumë te shqiptarët, ai preferon t’i përgjigjet shqip.

“Kam shumë respekt për faktin se, shqiptarët kanë përjetuar gjatë shumë viteve e shekujve shtypje, e megjithatë kanë ruajtur gjuhën dhe mënyrën e jetës”, rrëfen Andoni.

Edhe pse në libër ka listuar disa, ai zgjedh një gjë të vetme te shqiptarët, si më pak të pëlqyer.

“Nxitimi për t’i bërë gjërat shumë shpejt e për t’i mbaruar ato, mund të kthehet ndonjëherë në një gjë të bezdisshme. Unë besoj se, nëse do të bësh diçka, duhet ta bësh me më të mirën e mundësive të tua, më shumë sesa me shpejtësinë e mundësive të tua. Edhe rezultati do të jetë më i mirë në fund, nëse zgjedh këtë rrugë”, shprehet Andoni.

Në fund ai ka një mesazh dhe një këshillë për të gjithë ata që duan të vizitojnë Shqipërinë.

“Injoroni të gjithë reklamën e keqe mbi Shqipërinë dhe ejani të njihni një vend të jashtëzakonshëm. Njihuni me shqiptarët, sepse do të largoheni nga ky vend me disa nga eksperiencat më të bukura të jetës suaj. Gjëja që nuk duhet të bëjnë është të mos i japin një kartëmonedhë 500 lekëshe një shitësi kur blejnë një shishe uji”, tha britaniku Alan Andoni.

Top Channel