Ku do shkojnë Agrarët? Partia që e kërkojnë të gjithë

22/10/2016 00:00

Për t’u njohur më shumë me planet e Partisë Agrare Ambjentaliste, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë kryetari i saj, deputeti Agron Duka.

Top Channel: Zoti Duka, mirëmbrëma.

Agron Duka: Mirëmbrëma.

Top Channel: Zoti Duka, keni qenë ministër e deputet me socialistët, u zgjodhet deputet me republikanët. Sot keni ikur prej tyre, por jeni akoma në opozitë. Edhe në konventë u pa qartë se të dyja kampet e ndjejnë se partia juaj dhe ju mund të bëni lëvizje të tjera. A do qëndrojë Partia Agrare në koalicionin opozitar në zgjedhjet e ardhshme politike?

Agron Duka: Ndoshta është keqkuptuar, se ne nuk kemi lënë të kupt se mund të lëvizim në krahë të ndryshëm, por kemi thënë se PAA, duke qenë se mbron një çështje të caktuar, ideologjikisht nuk është aq ekstreme. Ky është mesazhi që kemi dashur të japim. Jemi një parti e hapur, ku mund të japë kontribut gjithëkush që e sheh vetën të aftë, qoftë me bindje të majta apo të djathta.

Top Channel: Fituat postin e deputetit në 2013 kur askush nuk e besonte. Cilat janë ambicijet reale të partisë suaj në 2017?

Agron Duka: Ne po punojmë fuqishëm për ristrukturimin e PAA, pasi pavarësisht se është një parti e vjetër ka rreth 6 muaj që ka nisur një lëvizje tjetër me pjesëmarrjen time dhe të një grupi nismëtar të kësaj partie. Kështu që pritshmëritë tona janë të krijojmë një grup parlamentar, 5 deri në 7 deputetë. Pra, të kemi përfaqësues në qarqet më të mëdha të Shqipërisë, që janë 5-7.

Top Channel: Qeveria ka premtuar 300 milionë euro investime në bujqësi, mos vallë aleancën duhet ta bëni në bazë të interesave të shtresës që ju thoni se përfaqësoni? Dhe, si i gjykoni politikat e qeverisë për fermerët?

Agron Duka: Ne deri tani nuk shohim se ka ndonjë zhvillim pozitiv në zonat rurale, në bujqësi dhe blegtori. Po t’i krahasojmë me vendet e rajonit, produktet tona janë lehtësisht të konkurrueshme. Mjafton të përmendim një fakt, se TVSH-të për imputet bujqësore ne paguajmë 20 për qind të TVSH-së, ndërsa vendet e rajonit e kanë 5-7 për qind. Duke u nisur nga ky fakt, produktet shqiptare janë lehtësisht të konkurrueshme dhe nuk ka mundësi që ne ta shohim të mundshme një aleancë me të majtën, kur premtimi ka ardhur në një kohë kur jemi pranë fushatës elektorale. Megjithatë, kjo është për t’u përshëndetur. Bujqësia dhe blegtoria janë sektorë me risk dhe bankat nuk i preferojnë për t’i kredituar.

Top Channel