Regjistrimet në universitete, 1.000 maturantë në ditë; 7 mijë kuota bosh

21/10/2016 00:00

Rreth 1.000 njësi në ditë është frekuenca e regjistrimit të maturantëve fitues në univeristetet publike dhe 20% më pak në universitetet private. Ndërkohë që në sistemin publik kanë mbetur ende rreth 7.000 kuota të paplotësuara.

“Duke ndjekur frekuencën e regjistrimit ditor është diku tek 1 mijë kuota në ditë. Me këto 7 mijë kuota që kanë mbetur, deri më datë 27 mendohet që të ezaurohen të gjitha kuotat. Universitetet private lëvizin në kuota pak më të vogla se publikët në për qindje. Diferenca mund të jetë 20 për qind më e ulët”, deklaron Arjan Xhelaj, drejtor i Rrjetit Akademik Shqiptar.

Në të gjithë sistemin arsimor janë regjistruar deri më tani 20 mijë maturantë fitues nga 32 mijë kuota, të cilat janë në dispozicion të fillimit të procesit të pranimit studentëve për vitin akademik 2016-2017.

“Gara ka filluar me rreth 22 mijë kuota tek universitetet publike. Mund të kemi rreth 15 mijë regjistrime nga fillimi i procesit në raundin e parë deri ditën e djeshme. Tek privati kanë qenë 9 mijë kuota në fillim të garës dhe mendohet që në fund të këtij cikli 48-orësh të jenë rreth 5 mijë kuota bosh”, thotë Xhelaj.

Edhe pas datës 27 tetor, që është afati përfundimtar i regjistrimit të maturantëve fitues, pritet të mbetet një shifër e ulët nga 5 deri në 10% të kuotave të paplotësuara.

Top Channel