Rriten investimet, treguesit në rritje për të dytin vit radhazi

14/10/2016 00:00

Investimet totale në ekonomi u rritën me 10 miliardë lekë në gjysmën e parë të vitit duke qenë lokomotiva e rritjes së prodhimit kombëtar. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se edhe pse ekonomia shqiptare dominohet nga konsumi, rimëkëmbja e saj në dy vitet e fundit është udhëhequr nga investimet, kryesisht ato të sektorit privat.

Sipas INSTAT, për gjashtë muajt e parë të vitit investimet totale në ekonomi ishin 176.6 miliardë lekë ose afro 1 .3 miliardë euro. Këtu përfshihen investimet e biznesit, ato të qeverisë dhe investimet që vijnë nga kompanitë e huaja.

Të dhënat tregojnë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimet totale janë rritur me 4.37 përqind në terma reale. Por ky është viti i dytë rresht kur ky tregues rritet. Për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar rritja ishte edhe më e fortë, rreth 19 përqind.

Investimet ishin sektori më i goditur nga kriza botërore duke ardhur në rënie nga viti në vit. Sipas INSTAT, për periudhën 2009-2014 investimet ranë me rreth 16 përqind, ose me gati 500 milionë euro.

Por pas 2014-ës, trendi është përmbysur dhe investimet kanë filluar të rriten me ritme të shpejta duke u shndërruar në lokomitivën e rimëkëmbjes së ekonomisë, kryesisht falë investimeve të biznesit dhe atyre të huaja, ndërsa Qeveria ka qenë më e tërhequr për shkak të uljes së borxhit.

Top Channel