Greqi, gardianët që shkaktuan vdekjen e Karelit i shpëtojnë burgut

13/10/2016 00:00

Asnjë nga gardianët grekë, që akuzoheshin se me torturat e tyre kishin shkaktuar vdekjen e të dënuarit shqiptar Kudret Kume, i njohur si Ilia Kareli, marsin e viti 2014, nuk do të shkojë në burg.

Gjykata e Selanikut ka dhënë dënimet për 12 nga 14 rojet  e akuzuar, prej të cilëve 6 janë dënuar me 5 vite me kusht, 3 të tjerë me 6 vite me kusht dhe 3 të fundit me 7 vite burg me kusht.

Ky dënim i liron ata para Gjykatës së Apelit, mund të rikthehen në të ardhmen përsëri në punët e tyre dhe e vetmja e drejtë që iu hiqet në këto vite është dalja jashtë shtetit.

I akuzuari i 13 është dënuar me 3 vite me kusht, ndërsa drejtori i Burgut të Nigritës, ku ndodhi ngjarja, është liruar si i pafajshëm, pasi ka pasur dyshime të forta për akuzën ndaj tij.

Sipas vendimit të gjykatës, vdekja e Ilia Karelit nuk ka ardhur nga torturat e pësuara në këtë burg, por nga një infarkt në zemër që ka nisur që në Burgun e Malandrinos.

Gjykata ka pranuar përfundimisht konvertimin e akuzës, për të cilën gjykoheshin të pandehurit, nga “kryerje e dallueshme torturash” në “kryerje të thjeshtë të torturave” dhe kjo ka sjellë dënimet e lehta për gardianët e akuzuar, që sipas gjykatës nuk e dinin se i burgosuri kishte kaluar një infarkt në zemër.

Gjykata madje vendosi që të zbusë vendimet për të akuzuarit, duke marrë parasysh edhe ndershmërinë e tyre në jetën e përditshme dhe, për më tepër, siç shkruhet në mënyrë karakteristike në vendim, edhe pendimin e tyre të sinqertë për veprimin e kryer.

Top Channel