PD: 25 kandidatë të magjistraturës u zgjodhën pa transparencë

10/10/2016 00:00

Partia Demokratike, përmes e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj ka denoncuar sot konkursin për zgjedhjen e 25 magjistratëve të rinj, që sipas kësaj force politike është bërë pa transparencën e duhur.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Alibeaj tha se ky është hapi i radhës i kryeministrit Edi Rama për të kapur sistemin e drejtësisë, duke përzgjedhur persona me bindje politike.

Deklarata e plotë e PD

Sot, është dita e parë e hyrjes në fuqi të ligjit të rivlerësimit, dhe sot Edi Rama ka bërë hapin e parë konkret e të dukshëm të kapjes së sistemit të drejtësisë.

Ky ligj, ndër të tjera ka parashikuar ne nenin 68 pika 2 se Shkolla e magjistraturës ngarkohet të organizoje një konkurs jashte radhe për 25 kandidate, gjyqtare dhe prokurore.

Sipas këtij ligji, dhe ligjit ekzistues për Shkollen e Magjistraturës, faza e parë e një konkursi të tillë është hapja e procedurës së pritjes së kërkesave të gjithë të diplomuarve, brenda ose jashte vendit, që janë të interesuar dhe kanë dëshire të marrin pjesë. Kjo periudhe e pritjes së aplikimeve, sipas traditës pothuajse 20-vjeçare ka qenë bërë transparente për publikun, ne median e shkruar dhe atë elektronike, e ka zgjatur jo më pak se 1 muaj. Të interesuarit gjatë kësaj kohe njiheshin me vendet vakante, plotesonin dokumentacionin dhe dorëzonin kerkesat dhe lista e aplikuesve publikohej. Më pas, procedohej me konkursin e testimit të njohurive.

Ndryshe nga kjo praktikë, pikërisht sot, media njofton se Shkolla e Magjistratures organizon konkursin e pranimit. Pa shpallur paraprakisht dhe publikisht se një konkurs do të zhvillohej. Pa shpallur vendet sipas preferencës në profilin prokuror apo gjyqtar, pa bërë ndarjen e tyre, pa shpallur procesin e thirrjes për aplikime për çdo të interesuar, pa iu dhënë mundësinë të diplomuarve të paraqesin kërkese. Kjo sepse, ligji vetëm sot ka hyre ne fuqi, dhe se nga sot e tutje duhet të zhvilloheshin këto procedura paraprake.

Listat e aplikanteve askush nuk i ka parë, askush nuk është në dijeni për menyren se si ata janë përzgjedhur. Çdo gjë është bërë në terr. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit, sepse, çdo veprim qoftë edhe okult i mbledhjes së aplikimeve, përpilimit të listave, përzgjedhjes së aplikantëve dhe ftesës për të marrë pjesë në konkurs, nëse është bërë, është bërë para datës 10 tetor 2016. Dhe nëse është bërë para dates 10 tetor 2016, është tërësisht i paligjshëm. Ligji ka hyrë në fuqi vetëm sot. Dhe nga sot lind e drejta dhe detyrimi i ketij organi të procedoje me pritjen e kërkesave për periudhe kohe të arsyeshme, të presë plotësimin e dokumenteve individuale, të perpiloje listat e me pas të organizojë konkursin duke mos ia mohuar askujt të drejtën për të marre pjesë.

Organizimi i konkursit sot, perveçse është një shkelje flagrante e ligjit për Shkollën e Magjistraturës, të ligjit të sapomiratuar të vetting-ut, është hapi i parë dhe konkret i kapjes politike të sistemit të drejtësisë. Plani i kapjes së sistemit të drejtësisë filloi me kapjen politike të Shkollës së Magjistraturës në vitin 2014, dhe sot po materializohet me hapin e radhës: 25 individë të përzgjedhur në terr, pa transparencë por me shumë gjasë sipas prirjeve politike,  pritet të jene gjyqtaret dhe prokuroret e nesërm.

Hapi i sotëm është rrënimi përfundimtar i çdo përpjekje për pavarësi dhe moskapje politike të sistemit të drejtësisë.

Top Channel