Studimi në futboll, Man.Utd është skuadra më e shtrenjtë

04/10/2016 00:00

Manchester United është skuadra më e kushtueshme në botë. Ky është përfundimi i një studimi të kryer nga CIES që analizoi shpenzimet e kryera në merkaton e transferimeve të lojtarëve në 5 kampionatet më të rëndësishëm në Europë.

Në këtë klasifikim të veçantë janë marrë në konsiderate vetëm shumat e derdhura dhe jo blerjet me parametra zero. Kështu në lenten e studimit të CIES kanë përfunduar edhe kalimet e Higuain te Juventus apo Pogba te Manchester United me “Djajtë e Kuq” që qëndrojnë në krye të klasifikimit me një investim prej 718 milionë euro në merkato.

Në vendin e dytë qëndron Reali i Madridit që ka shpenzuar plot 634 milionë euro, ndërkohë që podiumi plotësohet nga një tjetër skuadër angleze, Manchester City me 611 milionë euro investime.

Barcelona që vetëm këtë verë shpenzoi 122 milionë Euro për blerjen e 6 futbollistëve qëndron në vendin e 4 e shkëputur ndjeshëm nga 3 të parat me një investim total prej 485 milionë euro e ndjekur nga Chelsea, Paris Saint Germain, Juventus e Arsenal. Mbyll klasifikimin e 10 klubeve më të kushtueshëm, Bayern Munchen e Liverpool që kanë shpenzuar respektivisht 357 e 356 milionë euro.

Top Channel