Kosovë, granatë dore në ndërtesën qeveritare. Largohet nga policia

27/09/2016 00:00

Policia e Kosovës ka rrethuar ndërtesën e dytë qeveritare të Kosovës, aty ku ndodhet edhe Administrata e Pensioneve te ndërtesa e ish-Rilindjes në Prishtinë, pas dyshimeve për një mjet shpërthyes.

Lajmin e konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë, Flora Ahmeti, e cila ka thënë se “rreth orës 11 është marrë informacioni për një mjet të tillë”. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë ekipe policore kundër mjeteve shpërthyese, të cilët kanë gjetur një granatë dore në tualetin e objektit në fjalë.

Policia ka mundur ta largojë atë në mënyrë të kontrolluar, sipas asaj që bën të ditur togeri Eshref Beqiri. Ai është shprehur se po vijojnë procedurat hetimore për të zbuluar se kush e ka vendosur këtë mjet shpërthyes.

Dyshime ka pasur edhe për një mjet të dytë, por deri më tani nuk rezulton diçka e tillë, ndërsa zyrat e Administratës së Pensioneve janë evakuuar totalisht nga punonjësit, ndërsa për ngjarjen raportohet të jetë shoqëruar në polici një dëshmitar, i cili dyshohet të ketë informacion të vlefshëm mbi të.

Ndërtesa në fjalë njihet edhe si ish-Pallati i Shtypit, e cila sot shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës për ministri të ndryshme në qendër të kryeqytetit.27

Top Channel