Moto GP, pa ndryshime kalendari i vitit 2017

22/09/2016 00:00

Botërorit i MotoGP në vitin 2017 për momentin duket se nuk do të pësojë shumë ndryshime në krahasim me atë të këtij viti. Federata Ndërkombëtare e Motoçiklizmit publikoi kalendarin provizor të këtij kampionati, ku vihet re se nuk ka të reja dhe se do të zhvillohen të njëjtat gara.

Sezoni i ri do të nisë në 26 mars, me Çmimin e Madh të Katarit që zhvillohet natën dhe do të mbyllet në 12 nëntor në Valencia. E vetmja e re në këtë kalendar është vetëm shkëmbimi i datave të garave të Austrisë dhe Çekisë. Kjo e fundit do të jetë e dhjeta në kalendarin e ri, ndërsa Çmimi i Madh i Austrisë do të jetë i njëmbëdhjeti.

Gara në Argjentinë dhe Ostin do të vazhdojnë të jenë prova e dytë dhe e tretë e Botërorit, por këtë radhë ato do të kenë 2 javë diferencë mes njëra-tjetrës. Britania e Madhe dhe Malajzia janë ende në kalendarin provizor, por, sipas FIM, në këto dy vende mbetet për t’u zgjidhur çështja e kontratave të tyre.

Gara e Silverstonit do të zhvillohet në fundjavën e fundit të gushtit.

Përsa u perket testeve parasezonale, të parat do të zhvillohen në Sepang në 1-3 shkurt, të dytat në Filip Island në 15-17 shkurt, ndërsa në Katar do të mbahen testet e fundit, në 10-12 mars.

Top Channel