Pranimet në universitete, Nikolla: 75% e kuotave bosh për fazën e dytë

21/09/2016 00:00

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka bërë publike numrin e studentëve të rinj të regjistruar në shkollat e larta në fazën e parë ku vetëm 25% e kuotave janë zënë dhe 75% të tyre mbeten të lira për raundin e dytë.

“7152 maturantë nga 27600 aplikantë në total, nga të cilët 540 maturantë janë të regjistruar në universitetet publike, më të mirët zgjodhën degën e preferuar duke çliruar rreth 75% të kuotave në dispozicion të raundit të dytë në universitete publike”, deklaroi Nikolla.

Në shkollat e larta publike ka afro 19 mijë kuota të lira. Në portalin “klasifikimi.ualbanai.rash.al” i cili është i aksesueshëm edhe nga telefoni, maturantët do të mund të njihen me rezultatet.

Ata mund të kenë kështu një tablo të qartë çka mund t’i orientojë më mirë për zgjidhjen që duhet të bëjnë me qëllim që të kenë më shumë shanse për të fituar. Aplikimi për fazen e dytë nis më 23 shator.

“Në përfundim të raundit të dytë, po nëpërmjet të njëjtit portal do të merrni në kohë reale rezultatet e renditjes sipas preferencave tuaja të përzgjedhura në raundin e dytë. Procesi i lëvizjes së vijës së kuqe do të sinkronizohet në rang kombëtar nëpërmjet sistemit online pas çdo regjistrimi që do të kryeni pranë sekretarive në universitetet tona. Sigurisht falë teknologjisë ky sistem do të shkurtojë të gjithë periudhën e regjistrimit të këtij raundi dhe do të jap mundësinë e shfrytëzimit të çdo kuote të lirë”, vijoi Nikolla.

Sipas ministres së Arsimit, ky sistem garanton transprencë të plotë dhe i klasifikon studentët fitues sipas meritës.

Ndërkohë, gjatë ditës, deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boci akuzoi se pas 20 ditëve terrori psikologjik dhe padrejtësish rreth 20 mijë maturantë janë edhe një herë të braktisur.

Sipas tij, pas përfundimit të fazës së parë, mijëra maturantë me rezultate të shkëlqyera janë në pritje të tepricave. Sipas Bocit, fakti që në raundin e parë u regjistruan një përqindje e vogël e maturantëve, dëshmon se modeli ka dështuar.

Top Channel