Kosovë, Thaçi dekoron gjeneralin e KFOR-it, Sir Jackson

20/09/2016 00:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur në një takim komandantin e parë të KFOR-it në Kosovë, gjeneralin Sir Michael David Jackson, të cilin e ka dekoruar me medaljen ushtarake për shërbimin në Kosovë.

Gjeneralit Sir Jackson, kjo medalje i është dhënë për kontributin e tij në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, gjatë mandatit të tij si komandant i KFOR-it në Kosovë.

“Roli i gjeneralit Sir Jackson ka qenë i pazëvendësueshëm, i jashtëzakonshëm dhe historik për paqen, stabilitetin, demokracinë dhe prosperitetin në Kosovë dhe në rajon”, ka thënë presidenti Thaçi.

“Kemi punuar bashkërisht në kohë sfidash, në procesin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, në tranzicionin demokratik që kemi kaluar, në përkushtimet e përbashkëta në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar më tej presidenti Thaçi.

Nga ana tjetër, gjenerali Sir Michael David Jackson është shprehur mirënjohës për dekoratën dhe mikpritjen që i është bërë në Kosovë.

“U ktheva në Kosovë 17 vite pasi kisha ardhur për herë të parë këtu. Më duhet ta them, kisha ardhur pa pasaportë. Është e mrekullueshme të shohësh sesa shumë progres keni arritur që nga ajo kohë”, ka thënë gjenerali Sir Michael David Jackson.

Sir Jackson ka kujtuar edhe ditët e rënda të pasluftës së vitit 1999. “Edhe pse ato ditë të rënda shënuan fillimin e këtij progresi, në atë kohë kishte një atmosferë dhe gjendje shumë të rëndë, kurse sot gjërat kanë ndryshuar shumë”, ka shtuar ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se populli i Kosovës dhe mbarë bota e dinë se gjenerali Jackson është një nga njerëzit që ka jetësuar marrëveshjen e Kumanovës për futjen e trupave të NATO-s në Kosovë.

Top Channel