Shtatzëna vdiq nga shpretka. Versioni i mjekëve për ngjarjen: Ishte traumë

17/09/2016 00:00

Humbja e jetës së pacientes 35-vjeçare dhe foshnjës së saj erdhi për shkak të çarjes së shpretkës. Por çfarë e shkaktoi atë të një nënë shatatzënë në muajin e nëntë? Mjekët thonë se mund të ndodhë kryesisht nga ndonjë aksident, përplasje apo rrëzim dhe shumë rrallë mund të ndodhë edhe në mënyrë spontane.

Ata garantojnë se nuk është neglizhuar pacientja e cila është paraqitur mbrëmjen e së enjtes në maternitet me çianozë, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje në kraharor pa probleme të shtatzanisë.

“I është bërë ekzanimim obstertikal, nuk kishte kontraksione. Analiza e gjakut që i ka dalë normal kanë bërë që mjekët të mendojnë për infarkt dhe e kanë drejtuar në reanimacionin e kardiologjsë. Sepse edhe po të vinte kardiologu këtu nuk i ka të gjitha paisjet me vete. Rasti është i rrallë, nëse është spontan ndodh në 1 në 1 milon, por kjo shaktohet edhe nga traumat”, u shpreh Rubena Mojisu, doktoreshë e maternitetit “Koço Gliozheni”.

Por, mjekët e QSUT-ës pasi nuk kanë konstatuar probleme kardiake kanë dyshuar për trompozë në mushkëri duke e nisur drejt Sanatoriumit.

“Pacientja erdhi me tension 8 me 5, pasi u konstatua se nuk ka probleme me mushkëritë por kishte humbje gjaku, atëherë pacientja u vendos nën likide që të ruheshin tensionet dhe që këtej u bë transportimi me ambulancën tonë dhe me prezencën e mjekut që ishte roje”, tregon Dr. Arjan Mezini, nëndrejtor mjekësor tek “Shefqet Ndroqi”.
 
Kur është rikthyer në maternitet, foshnja kishte humbur jetën. Më pas mjekët kanë ndërhyrë dhe nëna 35-vjeçare e cila mësohet se kishte grumbulluar në bark afro 3 litra gjak për shkak të çarjes së shpretkës, ka humbur jetën.

Ministri i Shëndetësise garanton se do të zbardhet e vërteta e funksionimit të sistemit.

“Rezulton që sistemi ka funksionuar. Mjekët dhe personeli mjekësor kanë qenë aty. Ekzaminimet janë kryer, qoftë imazherike, qoftë laboratorike, është transportuar me autoambulancë nga një spital në tjetërin me me personel mjekësor sepse situata ka qenë e komplikuar. Janë raste shumë të rralla me përqindje shumë të ulëta që ndodhin. Ajo ka patur një hemoragji nga një dëmtim në shpretkë. Ne si ministri përtej organeve të drejëtsisë jemi të angazhuar që të punojmë për të zbardhur deri në fund të vërtetën e funksionimit të sistemit”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.

Do të jetë mjekësia ligjore ajo që do të përcaktojë diagnozën përfundimtare dhe arsyet e çarjes së shpretkës.

Top Channel