Humbja në derbi, Mourinho akuzon lojtarët dhe arbitrin

11/09/2016 00:00

I mposhtur dhe tepër i irrituar, Jose Mourinho drejton gishtin e akuzës ndaj lojtarëve të tij në fund të derbit të humbur nga United kundrejt Cityt.

“Në pjesën e parë ata ishin shumë herë më mirë sesa ne. E kemi nisur ndeshjen me lojtarë, të cilët kanë dhënë shumë më pak nga niveli i tyre”, është shprehur portugezi Mourinho. Një deklaratë që rrallë herë mund ta kemi dëgjuar nga ai, pasi në të kaluarën ka dalë gjithnjë në mbrojtje të lojtarëve, duke ua hequr presionin mediatik atyre e duke ia ngarkuar vetes.

Megjithatë, këtë herë ka ç’të thotë edhe ndaj abritrit Clattenburg. “Na munguan dy penallti. Ndërhyrja e Bravos duhej dhënë penallti dhe duhej ndëshkuar me karton të kuq. Por edhe prekja e topit me dorë nga Otamendi, për mua ishte e qëllimshme”, është shprehur “Special Devil”.

Analiza e portugezit është vërtet e ashpër. “Në mesin e pjesës së parë po shpresoja që të shkonim në dhomat e zhveshjes me rezultatin 0-1. Ishim duke luajtur shumë keq dhe po hasnim vështirësi. Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan gjithsesi”, shton më tej ai.

Përpara ndeshjes, Mourinho shtrëngoi duart me Guardiolën, duke përqafuar kështu “rivalin e tij më të madh”.

“Më duhet ta pranoj se në pjesën e parë kishim në ekip dy apo 3 lojtarë, të cilët duke parë sesi shkuan gjërat, tashmë nuk do të rrezikoja më t’i aktivizoja. Por ky është futbolli, shpeshherë edhe lojtarët më të mirë zhgënjejnë trajnerin e tyre, por në raste të tjera i bëjnë ata të lumtur”, ka thënë Mourinho, duke iu referuar me këto akuza mbi të gjitha Lingardit dhe Mkhitaryanit, dy lojtarë që u zëvendësuan pas pushimit.

Top Channel