Kerber triumfon në “US Open”. Gjermanja e parë, pas Steffi Graf në vitin 1996

11/09/2016 00:00

Gjermanja Angelique Kerber mbrojti statusin e saj si tenistja numër një në botë, pas fitores rrënqethëse ndaj çekes Karolina Pliskova në finalen e “US Open”. 28-vjeçarja Kerber fitoi në tri sete, 6-3, 4-6 dhe 6-4 në Nju Jork, duke shtuar edhe trofeun e turneut prestigjioz amerikan në “palmaresin” e saj, pas triumfit në “Australian Open” gjatë janarit.

Nga ana tjetër, fitorja e Pliskovës në gjysmëfinalen ndaj Serena Williams i ka siguruar tenistes gjermane kryesimin e renditjes së re nga e hëna e nesërme.

“Sot ëndrrat e mia u bënë realitet. Thjesht po shijoj këtë moment”, tha Kerber pas triumfit. “Është diçka e pabesueshme, jam duke qëndruar këtu me trofeun e dytë ‘Grand Slam’, gjë që do të thotë shumë për mua”.

Kerber mori pjesë në finalen e tretë të një “Grand Slam”-i gjatë këtij viti, por autoriteti me të cilin luajti në finalen e “US Open” dukej qartë se ishte si prej një udhëheqëseje të renditjes për femra. Ndërsa 24-vjeçarja Pliskova vinte në këtë finale pas 11 fitoresh radhazi, përfshi atë ndaj Kerber në finalen e “Cincinnatit” të muajit të kaluar, si dhe me një rekord prej 447 ejse (ace) në turin ËTA.

Çekja nuk e kishte kaluar kurrë më parë raundin e tretë të një turneu madhor përpara turneut amerikan, gjë që ndoshta ndikoi edhe në kryerjen e 17 gabimeve të pasforcuara në setin e parë, por e mori veten sërish në setin e dytë me 17 fitore, për t’u gjunjëzuar më pas në setin vendimtar.

“Ka qenë gjithnjë e vështirë të luash kundër saj (çekes) – është shprehur Kerber. – U përpoqa të qëndroja në lojë dhe të mos e lejoja të shkëputej, u bëra disi agresive, por thjesht shijova finalen. Ky ishte një stadium i jashtëzakonshëm. Kur kam qenë fëmijë, gjithmonë kam ëndërruar të jem numri një në botë dhe të fitoja ‘Grand Slam’-e, e sot kjo gjë u bë realitet”.

Top Channel