Nishani, mesazh ngushëllimi familjes së efektivit të vrarë

03/09/2016 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka shprehur ngushëllimet e tij familjes së efektivit të policisë të rënë në krye të detyrës, Ardian Kodra.

“Lajmi i rëndë për ndarjen e parakohshme nga jeta, duke rënë në krye të detyrës, të një efektivi me eksperiencë të FNSH-së së Shkodrës është tejet i rëndë jo vetëm për ju, por edhe për të gjithë shqiptarët.

Në këto momente të dhimbshme, më lejoni që në emrin tim, të familjes sime, si dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë t’ju shpreh ngushëllimet më të ndiera për humbjen tragjike dhe të pazëvendësueshme të bashkëshortit e babait tuaj të dashur, Ardianit, duke ju siguruar njëkohësisht se gjendem pranë jush shpirtërisht në këto çaste të trishtuara”, thotë Nishani në mesazhin e tij.

Kreu i shtetit e dënon ashpër këtë “akt gjakatar” dhe i bën thirrje policisë dhe organeve ligjzbatuese që të punojnë pa rreshtur në luftën e tyre të përditshme kundër krimit. “U prehtë në paqe shpirti i tij!”, e mbyll mesazhin e tij Nishani.

Top Channel