Kosovë, ja kushtet e “Listës Serbe” për votimin e Demarkacionit

01/09/2016 00:00

Kreu i grupit parlamentar të “Listës Serbe” në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiç i ka dërguar ditë më parë deputetëve dhe anëtarëve serbë të Qeverisë së Kosovës një letër, në të cilën u ka kërkuar që të mos marrin pjesë në procesin për zgjidhjen e problemit të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas burimeve të “KosovaPress”, Simiç ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të përmbushen premtimet. Më konkretisht, “Lista Serbe” kërkon shtrirje në 20 vendndodhje të kompanisë telefonike serbe “MTS DOO”, ndërsa postin e zëvendësshefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ta ketë një person nga komuniteti serb.

Sipas burimeve, këto janë dy kërkesa sfiduese për Qeverinë e Kosovës. E nëse ato nuk plotësohen deputetët dhe anëtarët e tjerë serbë në qeveri nuk do të marrin pjesë në seanca dhe mbledhje qeveritare.

Në rast se pala kosovare jep pëlqimin e këtyre kërkesave, atëherë deputetët e “Listës Serbe” do të japin mbështetjen e plotë për votimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka kërkuar sot tërheqjen nga votimi të projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi, pasi sipas tij “Lista Serbe” ka kërkuar lëshime. Përkundër kërkesës së deputetëve të opozitës, që kjo pikë e rendit të ditës t’i rikthehet qeverisë, një gjë e tillë nuk është bërë procedurialisht. Mbetet që në seancën e radhës, Kuvendi i Kosovës ta fusë sërish në rend të ditës atë.

Top Channel