Operacionet në Siri, Turqia reagon ndaj SHBA: Jemi sovranë e legjitimë

31/08/2016 00:00

Roli gjithnjë e më i madh i Turqisë në konfliktin sirian, përfshi edhe atë ndaj militantëve të Shtetit Islamik, tërhoqi kritikat e Shteteve të Bashkuara një ditë më parë, por Turqia nuk ka lënë pa iu kundërpërgjigjur Amerikës.

Forcat ushtarake turke kanë shënjestruar të ashtuquajturin Shtet Islamik brenda kufirit sirian, sikurse edhe luftëtarët kurdë në të njëjtin rajon. Por përndjekja e forcave kurde, të cilat Ankaraja i konsideron terroriste, nxiti kritika nga Shtetet e Bashkuara.

Ankaraja thirri këtë të mërkurë ambasadorin amerikan, për t’i kërkuar shpjegime mbi komentet që Ministria e Jashtme i quajti “të papranueshme”.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane kishte shprehur gjatë së martës besimin e tij se, në vend që Turqia të përndjekë e të sulmojë luftëtarët kurdë, “të gjitha palët e përfshira të ndalin së luftuari njëri-tjetrin dhe të fokusohen vetëm tek ISIS”.

“Turqia është një shtet sovran dhe legjitim”, tha ministri për Marrëdhëniet me BE-në, Omer Celik, duke i bërë jehonë komenteve të Ministrisë së Jashtme turke. “Të thuash që jemi në të njëjtin nivel me një organizatë terroriste dhe të sugjerosh bisedime mes tyre e nesh, madje edhe që është arritur një marrëveshje mes nesh, kjo është e papranueshme”.

Kryeministri Binali Yildirim tha të mërkurën se “operacionet do të vazhdojnë derisa të gjithë elementët terroristë të neutralizohen, derisa të gjitha kërcënimet ndaj kufijve tanë, tokës sonë dhe qytetarëve tanë të marrin fund”.

“Hurriyet” raportoi se ambasadori amerikan John Bass ishte thirrur për shpjegime në Ministrinë e Jashtme turke mëngjesin e sotëm. Edhe pse Ankaraja dhe Uashingtoni janë aleatë, Amerika mbështetet te forcat kurde për ndërmarrjen e sulmeve ndaj Shtetit Islamik në veri të Sirisë. Ndërkohë, Turqia vijon të këmbëngulë se milicia kurde, që sipas saj është terroriste, duhet të tërhiqet më në lindje përreth lumit Eufrat.

Turqia ka luftuar kryengritjen kurde në juglindje të vendit prej dekadash, ndaj dhe i frikësohet faktit se, nëse kurdët triumfojnë në veri të Sirisë, kjo do të nxiste separatizmin kurd në lindje të Turqisë.

Top Channel