Juventus, mur në mbrojtje; 2 goditje në portë në dy ndeshje

29/08/2016 00:00

Në harkun e një sezoni impenjues, diferencën e bëjnë detajet dhe janë pikërisht ato detaje që Masimiliano Alegri i kërkon te skuadra e tij Juventus, e që po nënvizohen si prioritete edhe në startin e Serisë A.

Për të kuptuar përforcimet e Zonjës së Vjetër të futbollit italian krahasuar me sezonin e kaluar, mjafton një paralele statistikash me goditjet e vuajtura në portë.

Bardhezinjtë ishin në kuotën 9 të tilla pas dy ndeshjes, ndërsa tani ka një mesatare të pabesueshme me dy goditje në portën e Bufon në po kaq përballje. Sfida e zhvilluar në fundjavë e ruajti të paprekur kuadratin e torinezëve dhe pavarësisht mungesës së Bonucit, u vu re një paraqitje e mirë nga Benatia dhe Barzalji. Ndryshojnë interpretuesit, por nuk ndryshojnë as inicialet dhe rezultati. BBC mbetet e pakalueshme.

Interesant për kampionët e Italisë është edhe krahasimi me skuadrat e tjera pretendente të serisë A. Interi i De Boer vuajti 7 goditje në portë në dy ndeshje, Milani më keq me 10 tentativa në kuadrat. Sezonin e kaluar Juventus kishte një nisje me hendikap krahasuar me të tjerët dhe sërish ia doli të kishte mbrojtjen më të mirë.

Por këtë sezon starti ka qenë i shkëlqyer. “Titujt fitohen me mbrojtjet më të mira dhe jo shënuesit më të mirë”, atë që përsërit Alegri çdo ditë, Juve po e zbaton në fushë.

Top Channel