Rama me të rinjtë e FRESSH, biseda për ekonominë dhe qeverisjen

29/08/2016 00:00

Kryeministri Rama është takuar me të rinjtë e FRESSH-it në çeljen e kampit veror të Partisë Socialiste në Jalë.

Të rinjtë marrin pjesë në platformën “FRESSH Voice”, të cilën Rama e cilësoi si një proces të shëndetshëm konkurrues që i jep mundësi të rinjve të tregojnë veten. Ndërkohë, Kryeministri i është përgjigjur edhe interesit të të rinjve.

“Rritja e ekonomisë sot është fakt. Morëm një ekonomi që rritej rreth zeros dhe sot, këtë vit shkojmë përtej 3 %. Por jemi të vëtëdijshëm që 3.4%, 3.5% apo 4 % po të doni, nuk është një rritje ekonomike e atillë që ta ndjejnë njerëzit në xhepin e tyre, në kushtet që jemi ne sot.  Po a ka një mundësi që ti rrisim rrogat, t’i bëjmë nga 800 Euro  shqiptarçe dhe ndërkohë ne të vazhdojmë? Nuk ka, nuk ekziston! Pra nuk ekzistojnë magjira”, tha Rama.

Duke folur për partneritetit publik-privat, kryeministri u shpreh se koncesioni, partneriteti me privatin është një instrument i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm i sistemit që ne kemi zgjedhur.

“Çfarë nënkupton kjo? Privati do investojë aty atë që ti nuk e investon dot. Nëse një partneritet me privatin do të rëndojë taksapaguesit, përkundër të njëjtin shërbim, kjo është kriminale. Por nëse partneriteti me privatin do të garantojë një investim që shteti nuk është në gjendje ta bëjë dhe do të rrisë cilësinë e shërbimit atëherë kjo është e domosdoshme”, u shpreh Kryeministri.

Top Channel