Serie A, Manaj gjen golin, ngec Roma, fiton Fiorentina

28/08/2016 00:00

Rey Manaj ka gjetur rrjetën për herë të parë në këtë sezon në kampionatin italian. Edhe pse nuk ndihmoi skuadrën e tij Pescara të marrë rezultat pozitiv në transfertën ndaj Sassuolos, fakti që ka shënuar do të thotë shumë për të.

Sassuolo fitoi 2-1 në ndeshjen e javës së dytë, ndërsa kur sulmuesi shqiptar u fut në lojë, Pescara tashmë kishte pësuar dy gola. Megjithatë, ai gjeti rrjetën në minutën e 81 duke i dhënë sinjale të qarta edhe De Biasit që pritet ta grumbullojë për kualifikueset e Botërorit.

Roma ndërkohë bëri një hap fals. Djemtë e Spaletit po fitonin 2-1 ndaj Cagliarit, por vendasit arritën të barazojnë në minutat e fundit të ndeshjes, duke i mohuar tri pikët e plota verdhekuqëve.

Fiorentina fitoi ndeshjen e parë këtë sezon, pasi mposhti 1-0 në shtëpi Kievon falë golit të Sanchez në pjesën e parë. Fitore të thellë realizoi edhe Torino që mposhti Bolognjën 5-1 dhe Genoa 3-1 në transfertën ndaj Krotones.

Udinese nuk gaboi në shtëpi ndaj Empolit që bëri ligjin duke fituar 2-0, ndërsa Sampdoria mposhti Atalanatën 2-1.

Top Channel